Histori me zhurmues – Fuat Çela mund të konsiderohet si një hero i pashpallur i kohës së komunizmit. I gjithë populli gëzonte famën e një heroi, por ai asnjëherë nuk e fitoi titullin hero i punës socialiste.

Ai ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ku tregoi se ka punuar në aksione të ndryshme krah gjithë të tjerëve dhe se nuk panonte kurrsesi të trajtohej ndryshe.

“Unë kam qenë 6 vjeç kur kam humbur shikimin. Gjetëm një bombë italiane dhe nisim ta gjuanim me gurë si lodër. Kur ngela pa sy babai dhe xhaxhi më çuan në Tiranë në spital. Kur e morën vesh që unë ngela i verbër njerëzit thonin më mirë të kishte vdekur. Kjo ishte shumë e vështirë për mua kur e dëgjoja. Kam filluar të punoja që në moshë të vogël dhe nuk e kam ndjerë. Vetëm një gjë nuk bëja dot, të prashisja misër. Jetën e kam kaluar vetëm me punë. Në koperativë nuk kam pranuar të më mbanin me hatër, punoja me normë si gjithë të tjerët. Por kur shkova në hekurudhën Rrogozhinë-Fier bëri bujë sepse në koperativë për të gjithë unë isha normal. Unë jam dekoruar shumë herë për punën që kam bërë. Ditët e para Gazeta Bashkimi shkruajti për mua dhe ishte rasti i parë për mua që dilja në gazetë. Kur u ktheva nga aksionin filluan të më vinin shumë letra, e gjithë Shqipëria më shkruante. Një djalë nga Lezha erdhi dhe donte të qëndronte afër meje në punë dhe e lejuan. Ai ka lexuar shumë për mua.

Në Skrapar u ktheva si njeri tjetër se shumë njerëz më thoshin mos shko në aksione sepse isha i verbër.  Kohë më vonë unë i shkruajta Enverit një letër dhe ndër të tjera i them që edhe pse nuk jam komunist, teserën e kam në zemër. Enveri e merr letrën dhe më kthen përgjigje dhe bashkë me të më sjell edhe një radio. “I dashur Fuat, po të dhuroj një radio të cilën e kam kujtim. Ti e di që kujtimet ruhen dhe nuk dhurohen, por për këtë rast po ta dhurojmë këtë radio ty, heroit tonë. I yti Enver, shkruhej në letrën e tij”, tregoi Fuat Çela.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al