Pasi u lejuan të ngasin makinën në vitin që sapo lamë pas, gratë në Arabinë Saudite fitojnë një tjetër të drejtë. Ministria e Drejtësisë në Riad i dha fund të ashtuquajturve “divorce sekretë”, që u jepnin të drejtë me ligj burrave të kërkonin dhe merrnin automatikisht në gjykatë divorcin nga bashkëshortja, pas asnjë lajmërim të kësaj të fundit.

Nga sot, gjykata duhet të lajmërojë bashkëshorten për vendimin me anë të një sms-je në celular. Ligji synon t’i japë fund mashtrimit të grave, që u janë marrë fshehurazi pasuritë dhe llogaritë bankare pas ndarjes. Një prej avokatëve thotë se shumë gra kanë vijuar të jetojnë me ish-bashkëshortët edhe pas divorcit, duke mos pasur dijeni për asgjë.

Direktiva e re bën pjesë në paketën e ligjeve të propozuar nga princi i kurorës, Mohamed Bin Salman, për të modernizuar një prej shoqërive më të prapambetura në botë. Pjesë e kësaj pakete ishte edhe lejimi i grave në stadiume, por në sektore të veçantë, larg burrave.

Megjithatë mbeten ende në fuqi masa të ashpra që kufizojnë të drejtat e grave saudite. Nëse njëra prej tyre dëshiron të marrë një vendim të rëndësishëm, duhet ta bëjë atë me autorizimin e një “rojtari” mashkull.

Tv Klan