“Jemi shumë të gëzuar dhe tani kemi një NATO shumë herë më të fuqishme se ç’ishte 2 ditë më parë.”

Këtë mënyrë zgjodhi Dondald Trump për të treguar se kishte dalë i kënaqur nga rezultatet e samitit 2 ditor të NATO-s të zhvilluar në Bruksel. Kërkesa kryesore e tij për shtimin e kontributeve financiare për aleancën nga vendet anëtare ishte pranuar nga liderët e tjerë.

“Kemi një rritje me 33 miliardë dollarë. Mendoj se duhet të shkojmë tek 40 miliardëshi”, tha Trump.

Ajo që e kishte kënaqur më tepër shefin e Shtëpisë së Bardhë ishte fakti se të gjitha vendet anëtare të aleancës kishin rënë dakord të përshpejtonin përpjekjet për arritjen e objektivit për një kontribut prej 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për aleancën. Trump tha se tani do të kërkonte që objektivi i radhës të ishte në 4%. Ndërsa akuzat e një dite më parë ndaj Gjermanisë për varësi nga Rusia mesa duket ishin thjesht presion.

“Gjermania pranoi të bëjë shumë më shumë se ç’është duke bërë aktualisht dhe jam shumë i kënaqur me këtë. Kam një marrëdhënie të mirë me Angela Merkelin.”

Ndër të tjera në këtë samit, iu dërgua zyrtarisht edhe ftesa për anëtarësim Maqedonisë, që brenda 6 muajve duhet të nisë zbatimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë përpara se të bëhet anëtare me të drejta të plota.

Tv Klan