Shpërbërja e organizatës më prestigjioze të të drejtave të njeriut në Rusi, Memorial International, është pikë kthese. Presidenti Vladimir Putin po e përgatit vendin e tij për kohë më të errëta, mendon Roman Goncarenko.

Maskat ranë. Kjo fjali është po aq e zakonshme dhe për fat të keq edhe një herë e saktë. Ata që shpresonin se në Rusinë e Vladimir Putinit do të kishte ende një vend për Memorial-in, organizatën më të njohur për të drejtat e njeriut në vend, u zhgënjyen të martën. Memorial International shpërbëhet me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe me bekimin e Gjykatës së Lartë. Të dy veprojnë në interes të presidentit. Qendra Memorial për të Drejtat e Njeriut pritet të pasojë.

Është më shumë se një mbyllje tjetër e një organizate joqeveritare (OJQ) problematike për Kremlinin. Është një moment kthese. Rusia do të jetë ndryshe pas kësaj.

Memoriali kishte qenë prej kohësh një halë në fytin e Putinit. Një organizatë që kujton krimet e KGB-së dhe një ish-oficer i shërbimit famëkeq sekret sovjetik të KGB-së si President – nuk shkojnë bashkë. Memoriali mban të gjallë kujtimin e terrorit të Stalinit, të krimeve të kryera kundër popullit të tij. Putini dhe rrethi i tij i pushtetit, më shpesh ish-oficerë të KGB-së, duan që rusët t’i harrojnë këto faqe të errëta të historisë sovjetike dhe ruse. Ata pothuajse e kanë arritur këtë me propagandë masive.

Dorë të lirë për shtypje të mëtejshme

Vetë prokuroria e ekspozoi qëllimin e Putinit, kur e akuzoi Memorialin për përcjelljen e “një imazhi të rremë të BRSS si një shtet terrorist”. Akuza se OJQ-ja ka shkelur “ligjin për agjentët e huaj” është vetëm një pretekst.

Ndonjë cinik mund të thoshte se Putini nuk kishte nevojë të mbyllte Memorialin, se ai ishte një model që po vdiste gjithsesi. Organizata, e bashkëthemeluar nga laureati i Nobelit Andrei Sakharov, kulmin e saj e pati në fund të viteve 1980. Aktivistët e saj atëherë ngritën gurin përkujtimor Solovetskij, në sheshin Lubyanka përballë selisë së KGB-së në Moskë, në kujtim të viktimat e GULAG-ut. Ishte një simbol i kthesës që Putini është përpjekur për vite me radhë ta sprapsojë. Duket se Presidenti dëshiron ta përfundojë shpejt këtë proces. Kohët e fundit, rëndësia e Memorialit për shoqërinë ruse është zvogëluar, në kryesi ka shumë aktivistë të moshuar të të drejtave të njeriut. Pse duhej shpërndarë atëherë tani?

Zëri i Memorialit me siguri nuk ishte aq i ulët sa do të kishte dashur Kremlini. Projektet e reja zemëruan Kremlinin. Për shembull OWD-Info, një portal informacioni për aktivistët e arrestuar, i cili tani u bllokua.

Por vendimi aktual për të ardhur turp i drejtësisë ruse është mbi të gjitha pararendës i kohërave edhe më të errëta. Po: mund të errësohet edhe më shumë se deri tani. Rusia e Putinit po ecën drejt një faze të nxehtë të Luftës së Re të Ftohtë me Perëndimin. Në këto kushte, një organizatë e të drejtave të njeriut e vlerësuar lart në Perëndim nuk mund të mos bezdiste. Frika është se do të ketë më shumë represion, madje terror ndaj opozitës dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. Edhe këtu, kreu i Kremlinit me sa duket dëshiron të ketë dorë të lirë dhe të mos kujtohet vazhdimisht nga Memoriali për të burgosurit e rinj politikë.

Memoriali do të kthehet

Pra, a ka fituar Putini? Sigurisht që jo.

Qoftë një vlerësim historik mbi terrorin e Stalinit apo një kronikë e abuzimeve të të drejtave të njeriut në Rusinë e Putinit, Memoriali do të vazhdojë punën e tij nën tokë dhe nga mërgimi. Një ditë ai do të kthehet në Rusi. Sa i afërt do të jetë ky kthim, kjo do të varet tërësisht nga qytetarët rusë. Memoriali do t’i mbijetojë sundimit të Putinit dhe dikur do ta rivlerësojë edhe atë./DW