Fundjava e ftohtë, por me diell
Sinoptikanët: Temperaturat minimale do të zbresin deri në -7 gradë në veri të vendit
Dita e premte ka nisur me reshje shiu, por pas mesditës në vend do të mbizotërojnë kthjellimet. Edhe fundjava nuk pritet që të ketë reshje shiu.
“Fundjava mbetet me mbizotërimin e motit të qëndrueshëm. Do të kemi alternime vranësirash të pakta duke krijuar momente të izoluara me reshje dëbore që do të jenë shumë të pakta. Pjesa tjetër e territorit do të jetë në dominimin e motit të qëndrueshëm.”
Ndërkohë që temperaturat do të mbeten të ulta, tipike për muajin Janar. Termometri në veri të vendit pritet të shënojë vlera minimale deri në -7 gradë Celsius.
“Fundjava do të sjellë rënie të temperaturave të ajrit, në Pukë dhe Peshkopi do shkojë deri në -7 gradë Celsius ndërsa në Ultësirën Perëndimore vlerat maksimale do të jenë në 10 gradë Celsius.”
Gjatë fundjavës nuk do të jetë shqetësuese as parametri i erës, ndërkohë që sipas parashikimeve të sinoptikanëve ditët e fundit të janarit do të mbyllen me mot të ftohtë dhe me diell. Ndërkohë që ndryshe do jetë fillimi i Shkurtiti, i cili pritet të nis me reshje shiu.
Klan News