Vazhon paralajmërimi për përmbytje nga reshjet

I gjithë territori i vendit këtë fundjavë do të jetë nën pushtetin e reshjeve, ndërsa shiu do të jetë më intesiv në disa zona. Instituti i Gjeoshkencave jep alarmin veçanërisht për Veriun dhe Verilindjen e vendit.

Durrësi dhe Lezha janë dy qytetet që rrezikojnë më shumë nga reshjet e dendura dhe parashikohet që të ketë përmbytje të mëdha.  Sinoptikanët nuk përjashtojnë që në disa qytete të ketë edhe reshje breshëri siç pati pak ditë më parë në Jug të vendit ndërsa do të jetë të pranishme edhe stuhitë.

Thuajse në të gjithë vendin do të ketë erë të fortë, veçanërisht në zonat bregdetare.

Nisur nga kjo situatë e motit të keq, edhe autoriteti i Emergjencave Civile i ka dërguar një letër prefekturave në vend që të jenë në gatishmëri.

Në letrën që u është dërguar prefektuarave kërkohet nga institucionet në Shkodër, Lezhë, Dibër, Malësi e Madhe dhe Krujë që të merren të gjitha masat pasi në këto qytete rreziku për përmbytje është më i madh.

Emergjencat nuk përjashtojnë mundësinë që të jetë i nevojshëm edhe evakuimi i banorëve në disa zona. Sipas parashikimeve, moti i keq do të na shoqërojë deri në fund të muajit ku do të ketë reshje shiu si dhe temperaturat do të ulen ndjeshëm.

Klan Plus