Në muajin Janar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një gjyshe e quajtur Feruze, ku ka treguar se mbesa e saj 5 vjeç me emrin Lisa ka lindur me një sëmundje të rrallë dhe të rëndë në zemër. Pas lindjes, mjeku kirurg që e zbuloi problemin e Lisës, u tha familjarëve se Lisa duhet t’i nënshtrohej urgjentisht ndërhyrjeve, pasi përndryshe do të kishte vetëm 1 muaj jetë.

Falë ndihmës dhe mbështetjes së shtetit shqiptar, familja Çoço mundi ta çonte jashtë shtetit Lisën, madje e ka çuar 5 herë në Spitalin e Stambollit dhe ka kryer 5 ndërhyrje, ku më e rëndësishmja dhe më e vështira ka qenë ajo e muajit Shkurt të vitit të kaluar. Por kalvari i vështirësive të Lisës së vogël ka vazhduar edhe më tej. Ajo kishte nevojë për një tjetër ndërhyrje të cilën duhet ta kryente në 28 Janar, ndërhyrje e cila kushtonte 6 mijë Euro.

Por shteti shqiptar për këtë vit fut në sistemin e fondeve financiare këto lloj proçedurash në muajin Mars. Ndërkohë që shëndeti i Lisës nuk mund të priste deri në Mars.  Prandaj Firuzja kërkoi në emision ndihmë për mbesën të cilën e ka pikë të dobët.

“Historia ime” në bashkëpunim me “Fundjavën Ndryshe” kanë arritur që të mbledhin në kohë rekord 6 mijë euro dhe ta dërgojnë Lisën në Turqi për ndërhyrjen e radhës.

Gjyshja Feruzja ka ardhur sërish në studion e emisionit dhe ka treguar se kur shkoi Lisa në spital në Turqi, mjekët nuk i dhanë shpresë se do dalë shëndoshë e mirë, por Zoti bëri mrekulli dhe vajza ia doli. Mjekët i thanë se zemra i kishte mbushur ujë dhe gjaku i ishte mpiksur dhe nëse nuk do kryhej kjo ndërhyrje, jeta e vajzës do ishte në rrezik.

Feruzja ka falenderuar “Fundjavën Ndryshe” dhe çdo shqiptar që ka kontribuar për t’i shpëtuar jetën mbesës së saj. Tani Lisa e vogël duhet të shkojë sërish në Turqi  pas 6 muajsh dhe gjyshja shpreson që të marrin lajme të mira nga doktorët. /tvklan.al