Fundjavë me mot të paqëndrueshëm



Fundjavë me mot të paqëndrueshëm

21:20 15/05/2021

Nga e hëna nis përmirësimi, ndërsa pas 21 Majit temperatura mbi 30 gradë

Ditët e fundit vendi ynë u përfshi nga kushte meteorologjike të paqëndrueshme, sikurse ndodhi dhe me breshërin e pazakontë të premten në Shkodër.

Sipas MeteoAlb e diela sjell mot më të qendrueshëm, por me alternime kthjellimesh e vranësirash, ndërsa java nis me mot të kthjellët.

“E diela na sjell mot disi më të kthjellët edhe pse gjatë pasdites presim reshje të pakta e të izoluara në sasi të papërfillshme. E marta dhe e hëna mbesin kryesisht me mot të kthjellët, për të na rikthyer sërish reshjet gjatë mesit të javës, edhe pse në sasi të pakta”, shprehet sinoptikanja Adiola Bani.

Moti tipik i stinës ku ndodhemi dhe me temperatura mbi 30 gradë pritet të jetë prezent sipas sinoptikanëve pas datës 21 Maj.

“Përmirësim i kushteve të motit për të na rikthyer motin me diell dhe temperatura të larta e presim pas datës 21-22 Maj. Presim që gjatë fundit të Majit të kemi vlera termike edhe mbi 30 gradë celsius”, thekson Bani.

Kushtet atmosferike të paqëndrueshme dhe me temperatura disi të ulta do të shoqërojnë gjatë fundjavës edhe Kosovën e Maqedoninë e Veriut.

Klan News







Të ngjashme