Moti mbetet i ngrohtë, temperaturat arrijnë në 20 gradë Celsius, problematike do të jetë era

Fundjava do të jetë me mot të paqëndrueshëm. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve fundjava do të jetë me vranësira dhe reshje shiu.

“Dita e shtunë dhe dita e dielë do të sjellë vranësira të dendura në vendin tonë duke bërë që të kemi prezente edhe reshje të shiut. Pritet të kemi rebeshe shiu kryesisht në zonat veriore dhe veriperëndimore priten të jenë më të dukshme kurse në zonat qëndrore dhe në zonat jugore reshjet do të jenë në sasira më të pakta.”

Meteorologët thonë se temperaturta do të mbeten të larta, sidomos ditën e shtunë.

“Temperaturat e ajrit edhe pse do të kemi prezente reshje do të mbeten të larta duke bërë që ditën e shtunë vlerat minimale në zonat malore të jenë në 2 apo 3 gradë Celsius në qytete si Kukësi apo Peshkopia ndërsa maksimumet do të ngjiten shumë pranë vlerave 21 gradë Celsius përgjatë vijës bregdetare. Kryeqyteti ditën e shtunë do të jetë në vlerat 19 apo 20 gradë Celsius. Dita e dielë do të sjellë rënie të temperaturave të ajrit me 2 gradë Celsius duke bërë që vlerat minimale të jenë rreth vlerës 1 apo 2 gradë Celsius kurse maksimumet do të zbresin rreth 19 gradë Celsius.”

Problematikë sipas meteorologëve do të jetë parametri i erës.

“Dita e shtunë dhe pjesa më e madhe e ditës së dielë do të sjellë një fuqizim të parametrave të erës. Do të jetë një erë problematike pasi do të jetë me shpejtësi mbi 60 km/orë në pjesën më të madhe të saj, por herë pas here do të shkojë edhe me shpejtësi 70 apo 75 km/orë duke sjellë problematika sa i përket trafikut detarë.”

Muaj Shkurt sipas parashikimeve të sinoptikanëve do të mbyllet me temperatura të larta.

Klan News