Të paktën 4 persona janë mbytur dhe 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me imigrantë ilegalë është fundosur në Izmir të Turqisë.

Një grua irakiane me jelek shpëtimi mbërriti në xhandarmëri mbrëmjen e së martës, ku kërkoi ndihmë. Sipas dëshmisë së saj, varka me rreth 35 imigrantë ka futur ujë dhe është fundosur pak pas nisjes në drejtim të ishujve grekë, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së 8 Tetorit.

Deri më tani, gruaja rezulton të jetë e mbijetuara e vetme e tragjedisë. Anijet e rojës bregdetare turke nisën një operacion kërkim-shpëtimi, por deri më tani janë gjetur vetëm trupat e pajetë të 4 personave, 2 në breg dhe 2 në det.  Kërkimet për gjetjen e 30 të zhdukurve vazhdojnë. /tvklan.al