Punohet një vit, për të ngrënë një ditë. Ky është mentaliteti vendas për natën e ndërrimit të viteve. Familjarët janë dyndur në dyqane e panaire ushqimorë, të blejnë sa më shumë, megjithëse tek ta s’ka ndryshuar asgjë. As numri i personave në familje. Një ditë që i jep fund një viti, kremtohet si e jashtëzakonshme në ngrënie. Askush nuk mund t’i konsumojë të gjitha në një ditë. Është traditë begatie në tryeza, edhe pse nuk zgjat. Babëzi edhe në ushqim. Bulmeti që s’mungon në shtëpi,  blihet sërish në këto ditë, edhe për zili.

Qytetarja: “Bërxolla, pulë, sallatë ruse, portokalla, mandarina, mollë, çfarë të themi tjetër?”

Gazetarja: Nuk janë ca si shumë?

Qytetarja: “Shumë janë. Për ne, dy veta jemi, por tavolina i do këto, se kemi qenë dhe jashtë që nuk bëjnë kështu siç bëjmë neve. Vetëm Krishtlindjet bëjnë dhe jo kaq shumë. Hanë ato që kanë përpara dhe  më nuk e zgjasin si puna  jonë. Neve e kemi pas traditë dhe kështu e mbajmë traditën me gjel përpara.  Jo, nuk jemi amsa të mëdhenj, por është tradita. Tradita që ta kemi sa më shumë të shtruar.”

Qytetari: “Atë natë nuk ha më shumë se sa natët e tjera, veçse është tradita për t’i pasur në tavolinë.”

Qytetarja: “Ditët e veçanta, çik më mirë.

Gazetarja: Çfarë të veçante ka kjo?

Qytetarja:Po është festë, festojmë. Ndërrimi i viteve, është festë.

Gazetarja: Festë për ju do të thotë të hash më mirë?

Qytetarja: “Jo festojmë. Duke ndejtur, duke festuar. Duke festuar, duke ngrënë në fakt.”

Gazetarja: Cili është koncepti  i të festuarit. Festë çfarë do të thotë?

Qytetarja:Festojmë.

Gazetarja: Një ditë?

Qytetarja: “Tashi festa kemi gjithmonë ne, por kur është e veçantë, do ta festojmë çik më mirë.”

Gazetarja: Jeni në punë?

Qytetarja:Jo jo, nuk jam në punë.

Trafik e rrugë të bllokuara pasi kryeqyteti thuhet se ka më shumë e më lirë. Me mijëra automjete nga rrethet numërohen të kenë hyrë në kryeqytet, gjatë ditëve të fundvitit. Është fundi i vitit, por jo i  gjithçkaje. Këto mund t’i blejmë dhe t’i hamë edhe në Janar. Por, mania i kalon kufijtë. Popull që nxiton për gojën. Shqisë që nuk e hap as atëherë kur nuk ka me  se të ushqehet si në një ditë të zakonshme./tvklan.al