Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Balil Caushi, vëllai i Zani Caushit është varrosur sot në mesditë në varrezat e Babicës në Vlorë. Kortezhi i gjatë i makinave që përcillnin 42 vjeçari e vrarë mbrëm, ka lënë lagjen Çole rreth orës 12 nga ku më pas kanë kaluar në qendër të Vlorës duke përfunduar në varreza. Gjithçka tjetër ka vijuar normailsht, nuk ka forca dhe postblloqe policie.

Balil Caushi, vëllai i Zanit u vra mbrëm rreth orës 18, pikërisht në këtë lokal prej dërrasash në hyrje të lagjes Çole. 2 antetatorët me maska kanë mbështetur armët në dritaret e hapura të lokalit dhe kanë qëlluar Balilin i ulur në një tavolinë. Plumbat e shumtë kapin edhe 25 vjeçarin Dritan Toja, i cili plagoset në këmbë dhe në krah. Sot i plagosuri Toja ishte në gjendje më të mirë shëndetësore pa rrezik për jetën. Ndërsa Balili i vdekur në vend si pasojë e plumbave të shumtë përcillet në morg.

Sipas drejtorit të policisë së Vlorës Besnik Bregu, policia ka kontrolluar deri në mesnatë rreth vendngjarjes për të kapur autorët e vrasjes por pa rezultat. Tashmë ky krim do të ndiqet në mënyrë operative tha ai.

Vetë Zani i izoluar në dhomat e paraburgimit të Fierit, nuk është lejuar të marrë pjesë në funeralin e vëllait të tij të dytë të vrarë brenda një viti. Madje dhe seanca gjyqësore e tij e caktuar për nesër është shtyrë për arsye sigurie.

Qyteti i Vlorës dhe pse në pamje të jashtme sot dukej i qetë, po ndjen gjithnjë e më shumë shtimin e tensioneve mes grupeve të ndryshme, përplasjet e të cilëve po rritin numrin e viktimave përfshirë këtu edhe të pafajshëm./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj