Fuqizimi ushtarak i Rusisë dhe influencat e saj në rajon janë shqetësimi kryesor i momentit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila nisi në Tiranë sesionin e punimeve të Asamblesë Parlamentare.

Në konferencën për shtyp me delegacionin shqiptar, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner tha se Shqipëria është një faktor më shumë stabiliteti në Ballkan.

Partnerët tanë Europianë duhet të bëjnë më shumë. Ne duhet t’i japim siguri partnerëve tanë, sepse nuk duhet të harrojmë që ekonomia e Rusisë është më e vogël se ajo e Italisë, por fuqizimi ushtarak i saj përbën një kërcënim në një kohë kur Rusia e ka shpallur NATO-n si kundërshtar të saj. Ne e vlerësojmë kontributin që po jep Shqipëria në angazhimet e Aleancës si dhe në stabilitetin dhe sigurinë e Rajonit të Ballkanit. Gjithashtu vlerësojmë edhe mbështetjen e Shqipërisë për politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Anëtarësimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë do të sillte më shumë siguri në Ballkan

”, ka thënë Michael Turner, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Edhe pse Marrëveshja e Ohrit nuk po zbatohet nga shteti maqedonas, kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë e NATO-s, Pandeli Majko, tha se Shqipëria nuk do të aplikojë politika bllokuese për anëtarësimin e Shkupit në Aleancë.

Shqipëria nuk do të kushtëzojë anëtarësimin e vendeve të rajonit, ku jeton pakica shqiptare. Nga ne nuk do të dëgjoni deklarata gjeneralësh. Mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-s

”, deklaroi Majko.

Sesioni i verës i Asamblesë Parlamentare e NATO-s mbahet për herë të parë në Shqipëri. Temat kryesore të diskutimit do të jetë mbi sigurinë dhe stabilitetin, përballimin e krizës së emigrantëve si dhe masat që duhen marrë për luftën kundër terrorizmit. /TV KLAN