4 fëmijë dhe shoferi i furgonit me të cilin udhëtonin i shpëtuan për mrekulli një aksidenti, teksa mjeti i tyre ra nga një lartësi prej 30 metrash. Aksidenti që mund të kishte përfunduar në tragjedi ndodhi në zonën e Yunnan, në Kinë.

Në pamjet e kapura nga kamera e një ndërtese aty pranë, shihet momenti kur furgoni rrotullohet disa herë teksa bie nga shkëmbi përpara se të përfundojë në ujë.

Një person vrapon për t’i shkuar në ndihmë ndërkohë që merr në telefon shërbimet e emergjencës, duke mos ditur nëse kishte të mbijetuar. Pak çaste më vonë, një tjetër person shihet teksa shkon me vrap drejt vendit të ngjarjes.

Ata nxjerrin jashtë furgonit 4 fëmijët, ndërkohë që banorë të zonës rendin gjithashtu për të ndihmuar fëmijët. Edhe shoferi i furgonit u nxor nga mjeti shëndoshë e mirë. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk mori dëmtime serioze për jetën.

Shkak për ngjarjen, sipas asaj që shkruan e përditshmja Mirror, dyshohet se u bë humbja e kontrollit të mjetit nga shoferi.

/tvklan.al