Ky është momenti kur dy të rinj arrestohen nga policia. Atyre iu vunë prangat në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas, pasi dyshoheshin se dispononin armë zjarri.
Arbër Hasa 19-vjeç dhe Joldi Peca 20-vjeç që shfaqen në këto foto po udhëtonin me një automjet tip Benz Mercedez. Pas kontrollit të automjetit policia u gjeti atyre 4 pistoleta dhe 1 armë të ftohtë.
Pistoletat ishin fshehur në një çantë krahu, në një qese dhe në një kuti. Pas arrestimit të dy të rinjve, policia kreu kontrolle edhe në banesën e një të afërmi të tyre, një 49-vjeçari ku iu gjetën sende të paligjshme.
Sipas policisë, pistoletat do të modifikoheshin me silenciator dhe më pas do u shiteshin grupeve kriminale. Pistoletat do të shiteshin me çmimet që varionin nga 2000 deri në 3000 Euro.
Burime për Klan News nga policia thanë se armët dyshohet se merreshin nga Kosova. Grupi hetimor ka ngritur gjithashtu dyshime të arsyeshme se dy të rinjtë kanë trafikuar armë dhe herë të tjera. Megjithatë deri më tani nuk rezulton të kenë lidhje me persona të arrestuar më herët për trafik armësh Kosovë- Shqipëri.
Më herët Policia e Tiranës ka goditur disa raste të trafikut të armëve, ku një prej praktikave më të shpeshta nga trafikantët është transporti me autobus dhe taksi.
Klan News