Antonio Tajani është gjendur mes furtunës së kritikave, thirrjeve për dorëheqje dhe kërksave për falje, ndër të cilat ka zgjedhur këtë të fundit. Shkak u bë një deklaratë në një intervistë radiofonike të pak ditëve më parë ku shprehej se diktatori fashist Benito Musolini kishte bërë edhe gjëra të mira për vendin.

Tajani shprehet se Musolini bëri gjëra pozitive kryesisht në infrastrukturën e Italisë. Ai shprehet se e vlerëson për ndërtimet e banesave, ndërtesave shtetërore, rrugëve e autostradave.

Por në seancën e radhës të Parlamentit Europian, ai u përball me kritika nga të gjitha krahët politikë, përfshirë edhe kolegët e Partive Popullore Europiane. Kjo e detyroi të kërkojë falje duke u shprehur se nuk ka pasur për qëllim të justifikojë krimet e shumta të regjimit totalitar të Musolinit.

Në një postim të mëhershëm në Twitter, Tajani tha se fjalët e tij ishin instrumentalizuar për të goditur atë dhe forcën politike që ai përfaqëson, ‘Forza Italia’ e ish-Kryeministrit Silvio Berlusconi.

Tv Klan