Investimi me bashkëfinancim nga Bankers Petroleum Albania

Fusha e sportit dhe zyrat e njësisë administrative Zharrëz, të cilat janë në pronësi të Bashkisë Patos do t’i nënshtrohen rikonstruksionit falë investimit të përbashkët me kompaninë Bankers Petroleum Albania e cila ka vënë në dispozicion 100 mijë Dollarë.

“Rikonstruksioni i disa objekteve brenda këtij territori e bën atë të rëndësishëm. Ky projekt konsiston në reabilitimin e fushës së sportit me të gjithë elementët, fushën e lojërave me dorë, rikonstruksionin e godinës dhe gjithë mjedisin përreth. Është e rëndësishme që Bankers i është përgjigjur bashkëfinancimit të këtij investimi”, shprehet kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balili.

Gjendja ekzistuese e mjediseve sportive dhe atyre të jashtme përreth zyrave është lënë pas dore për shkak të mungesës së investimeve ndër vite. Në fushën e sportit do të realizohen ndërhyrje thelbësore si nivelimi, mbjellja e një tapeti të ri, rrethimi dhe ndërtimi i shkallëve të spektatorëve për të ndjekur aktivitetet sportive.

Drejtuesit e kompanisë konfirmojnë se do të vijojnë të investojnë në komunitetet ku ata operojnë me qëllim për të përmirësuar nivelin e jetesës së banorëve të këtyre zonave.

Tv Klan