Sejko: Një pjesë e madhe e popullatës përdorin terminologjinë e gabuar për Lekun

“As i vjetër, as i ri, jam thjesht Lek”. Kjo është fushata ndërgjegjësuese më e re e Bankës së Shqipërisë e cila kërkon që të eleminojë gradualisht termat e gabuar për kartmonedhën kombëtare.

Në takimin e zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko tregoi edhe rezultatet e një ankete për përdorimin e terminologjisë “lek i ri – lek i vjetër”, ku rezultoi se një përqindje e madhe e popullatës e lexojnë gabim vlerën reale të kartmonedhave.

“Rezultatet e mbledhura nga anketa tregojnë se të vendosur përballë një kartëmonedhe 500 Lekë më shumë se gjysma (54%) e të intervistuarve instinktivisht e lexojnë  apo e identifikojnë gabim vlerën e saj, duke i shtuar një 0 për ta kthyer në “lek të vjetër”. Situatat apo ambientet në të cilat të anketuarit shprehen se flasin rëndom, në mbi 80% të rasteve, me “lek të vjetër”, janë kryesisht ambientet joformale apo familjare: dyqanet e vogla apo tregjet e fruta/perimeve; bisedat me familjarë, miq dhe kolegë; të ndjekur nga mjetet e transportit publik. Nga ana tjetër, të dhënat dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut ndodh shumë më rrallë në institucione financiare (banka, jobanka etj.) me vetëm 28.1%, apo në zyra të administratës publike (39.4%), megjithëse mund të pritej që këto shifra të ishin edhe më të ulëta)”.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Adrian Civici foli për historikun e Lekut, duke theksuar se terminologjia e sotme ka mbetur edhe për shkak të ndryshimeve që ka pësuar kartmonedha ndër vite.

“Koha e ndryshimit të monedhave ndoshta në 60-70 vjet ka qenë shumë dinamike duke mos lënë edhe kohë për t’u ndryshuar. Megjithatë reagimet që kanë qenë përpara Luftës së Dytë Botërore dhe ato pas saj u bënë disa ndryshime, shqiptarët janë përballur shumë shpesh me ndryshimet e monedhës së tyre”.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë këtë fushatë ndërgjegjësuese e cila do të synojë të jetë sa më gjithpërfshirëse, duke prekur grupe të ndryshme interesi. Në vijimësi Banka do të zhvillojë seminare në shkolla apo institucione të mëdha publike, për të krijuar kulturën e edukimit financiar.

Klan News