Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, mori pjesë sot në vijim të fushatës solidare “Ti je heroi ynë”, e cila synon të ndihmojë fëmijët me nevoja shëndetësore të punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë mbi  200 fëmijë të veçantë, me nevoja të veçanta, të cilët përveç vuajtjes së përditshme të prindërve në punë dhe sakrificës së përditshme në përballjen me botën e krimit, kanë edhe vuajtjen familjare që nuk është e lehtë.

Tahiri tha se për këtë kategori fëmijësh, bashkë me partnerët, po punohet për t’ua bërë festat dhe vitin e ri më të mirë.

Ndaj, bashkë me punonjësit e Policisë dhe shumë partnerë po mundohemi të krijojmë një mundësi për t’ua bërë më të lehtë Vitin e Ri dhe patjetër shërimin.

E ritheksoj, për mua është ditë e veçantë, sepse një gjë është të bësh Ministrin, një gjë është të bësh Njeriun në detyrë,

tha Tahiri.

Tahiri falënderoi të gjithë punonjësit e policisë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar.

Dua të falënderoj të gjithë ata që na kanë dhënë mundësinë të shohim se sa solidarë mund të jemi me njerëz që mund t’i kemi përditë në punë, që mund të jenë përditë në shërbim të qytetarëve – por vjen dita kur duhet të jemi dhe ne në shërbim të tyre. Kjo është mundësia jonë më e mirë për të falënderuar të gjithë ata që kontribuojnë në Policinë e Shtetit dhe për t’iu gjendur pranë fëmijëve të atyre që kanë nevojë për ndihmë të veçantë,

u shpreh ministri.

Fushata në ndihmë të fëmijëve me nevoja të veçanta për punonjësit e policisë u hap këtë të shtunë në orën  12:00 dhe do të zgjasë deri në 23:00, në rrugën “Ibrahim Rugova”, në zonën e ish-Bllokut.

Tv Klan