Tifozët nuk e duan në skuadër, Manchester United kërkon 15 mln euro

Nuk ka paqe për Kristiano Ronaldon te Manchester United. Portugezi nuk arriti të lë gjurmë në humbjen ndaj Brajton, sfidë të cilën e nisi nga stoli, por që ishte shumë larg performancës që tifozët parashikonin. Kjo ka bërë që tifozët e “djajve të kuq” të rikthejnë në rrjetet sociale fushatën për largimin e tij. Në hashtakun #ronaldoout, duan që 37-vjeçari të shpall divorcin me skuadrën nga Manchester. Për të gjetur një zgjidhje për të mirën e të gjithëve ka pak më shumë se tre javë, kur edhe mbyllet merkato e verës.

Skuadrat pretendente për të siguruar shërbimet e 5 herë fituesit të “Topit të Artë” janë të shumta, edhe pse ofertat në tavolinë kanë munguar.

Manchester United kërkon të paktën 15 milionë euro për të lënë të lirë kartonin e sulmuesit, ofertë që për momentin nuk është gati ta paguajë as PSG dhe as Napoli, kandidat potencial për të firmosur me portugezin. Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për Ronaldon, i cili në rast të qëndrimit të tij në “Old Trafford” do të trazonte jo pak ujërat në marrëdhënien e tifozëve me drejtuesit e klubit.

Klan News