Aktorja e njohur, Rita Lati i ka kushtuar gjithnjë shumë rëndësi pamjes së saj. Lidhur me këtë, ajo është komentuar shpesh në media dhe ka pranuar se veshja dhe grimi për të janë shumë të rëndësishme.

E ftuar sot në emisionin “Rudina”, aktorja tregoi për herë të parë se kur ishte në gjimnaz i kishte marrë pa leje nënës së saj një mbulesë tavoline dhe me të kishte bërë një fund dhe një jelek.

“Mos më thuaj, ai është një fund edhe një jelek. Po e them për herë të parë. Që ta merrni vesh ju, në atë periudhë unë kam qenë në shkollë të mesme këtu në Tiranë, tek Shkolla e Kulturës. Kjo veshje është bërë me mbulesën e bukës së mamit. Mami im në atë kohë i kishte të preferuara këto me kuadrata, këtë e kishte pikë të dobët. Sa herë uleshim, unë mendoja për modelin se si do ta prisja, se e kisha vendosur që do ta merrja. Dhe një natë, pasi hamë bukë, mami e lan mbulesën dhe unë prisja momentin. Sa u tha mbulesa, e mora, e palosa dhe e fsheha. Kur erdhi mami që larg e vuri re dhe më tha: Të keqen mami, pse nuk i mblodhe të tëra rrobat? Kë i them unë? Rrobat, më kthehet. Nuk e di, iu përgjigja, s’kam marrë rroba. Ajo dyshoi se ia kishte marrë komshija. Kur vajta në shkollë, direkt te rrobaqepsja, e qepa dhe kush nuk ma pëlqeu atë veshje. Por problemi ishte si t’ia thoja mamit kur të kthehesha në shtëpi. Shkova në shtëpi dhe i thashë: Do të tregoj diçka, por ti nuk do më thuash asgjë. Mirë, më tha. I dola mamit me mbulesën e bukës. Uaaa sa bukur më tha. Por kur e vuri re që ishte mbulesa e bukës tha: Një minutë, mos më thuaj që kjo është mbulesa e bukës… Pse nuk më tregove, mami do të ta kishte lënë. Kjo veshje ka qenë nga ato që kanë jetuar gjatë dhe që unë e kam veshur me shumë qejf. Dhe të gjithë filluan të presin veshje si kjo”,

tregoi aktorja.

/tvklan.al