Sigurojnë trofeun një javë para fundit të sezonit

Vllaznia e femrave është sërish kampione e futbollit të femrave. Paraditen e kësaj të mërkure, vajzat shkodrane kanë siguruar titullin matematikisht.

Ky është trofeu i shtatë që fitohet nga kjo skuadër dhe që sivjet u festua një javë para fundit të kampionatit.

Festime në kohë pandemie, entuziazmi nuk mungoi por kujdesi ishte i pranishëm.

Në ndeshjen e parafundit, vajzat kuqeblu fituan 12-1 me Kinostudion në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” në Shkodër.

Pesë nga golat e këtij takimi u shënuan nga Megi Doçi, ndërkohë që tre të tjerë nga Lufo. Në listën e golashënueseve për këtë ndeshje janë edhe Bajraktari, Shala, Borci dhe Wai.

Në fund të ndeshjes, pjesëtarët e këtij ekipi kanë hapur shampanjën e titullit, por kuptohet që festa e madhe do të jetë pas ndeshjes së fundit të kampionatit.

Trofeu dhe medaljet për ekipin e Vllaznisë do të jepen pas ndeshjes së fundit të kampionatit, që do të luhet ndaj ekipit Tirana AS.

Tv Klan