Një gjest human vjen nga Bundesliga gjermane. Lojtarët e Borussia Mönchengladbach kanë ofruar të heqin dorë nga paga e tyre për t’ua dhënë atyre që po luftojnë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ishte Federata Gjermane e Futbollit e para që dhuroi 2.5 milionë euro për të ndihmuar personat përgjegjës në këtë krizë pandemia që ka kapur jo vetëm Gjermaninë, por mbarë botën.

Sipas gazetës gjermane Bild, Borussia Mönchengladbach është klubi i parë profesionist në Gjermani në të cilin lojtarët kanë ofruar vullnetarisht të sakrifikojnë një pjesë të pagës së tyre, me trajnerin Marco Rose dhe drejtuesit e klubit që e kanë pranuar këtë propozim. Klubi në fjalë do të shlyejë të gjithë tifozët që kanë abone, pasi ndeshjet e mbetura, nëse do të zhvillohen, do të jenë pa praninë e spektatorëve.

Pagesat një më një për punonjësit e saj ka premtuar Manchester United. Edhe pse futbolli anglez ka ndaluar së luajturi, djajtë e kuq preferojnë të tregohen bujarë me punonjësit që pavarësisht se nuk janë në krye të detyrës, janë një pjesë e rëndësishme e zinxhirit dhe sukseseve të britanikëve.  

Situatë krejtësisht ndryshe te Barcelona. Katalanasit kërkojnë nga lojtarët e tyre që të pranojnë përgjysmim të pagave, pasi humbjet do të ishin kolosale. Buxheti i tyre prej 61 milionë euro këtë sezon është shpenzuar për nënshkrime të reja, ndërsa 507 mln euro janë shpenzuar për pagat e lojtarëve dhe 135 mln për shlyerjen e borxheve.

Klan Plus