Ëndrra m’u pre në mes…

Sokol Cikalleshi futbollisti kavajas, i cili sot është pjesë e rëndësishme e përfaqësueses shqiptare dhe veçanërisht, repartit të sulmit, rrallë është parë të flasë për tema jashtë futbollit.

Insistimi i regjisores Vera Grabocka dhe moderatores Alketa Vejsiu, e ka sjellë atë në skenën e Tv Klan në emisionin në “Kurthin e Piter Panit”.

I pyetur nga fëmijët për momentin më të vështirë në karrierën e tij, Cikalleshi u përgjigj:

 “Në moshën 20-vjeçare, kur isha në kulmin e karrierës, pata një dëmtim. Kisha dhimbje te muskujt dhe problemin e kisha te dhëmbët, që askush nuk e gjente. Për 13 muaj kam ndenjur jashtë fushe, e lashë edhe futbollin. Pas një periudhe shumë të gjatë pikëllimi, si për mua dhe për familjen, sepse isha një djalë që kishte ëndrra dhe talent për t’u bërë futbollist, ëndrra m’u pre në mes. Por një doktor shumë i mirë në Itali ma gjeti problemin dhe u riktheva prapë nga e para dhe u bëra futbollist.”

Ndërsa pjesëmarrja në finalet e kampionatit evropian dhe momenti kur u bë baba, janë dy momentet më të lumtura të futbollistit

“Momentet e gëzuara kanë qenë shumë. Një nga ato ka qenë pjesëmarrja në Europian. Ndërsa nga jeta ime personale ka qenë patjetër ardhja e vajzës sime në jetë. Është një emocion që sado të përpiqesh ta shpjegosh me fjalë, nuk e shpjegon dot po nuk e përjetove”, ka thënë futbollisti.

Një surprizë e bukur gjatë emisionit ishte ardhja në skenë e vajzës 3-vjeçare, Rajnas.

Klan News