Harry Maguire, futbollisti i ekipit anglez Manchester United, është arrestuar në ishullin grek Mykonos ku po qëndron për të pushuar. Sipas mediave greke, ai u arrestua jashtë një lokali pasi ishte përfshirë në një sherr me disa persona të tjerë.

Kur policia ndëhyri për të ndalur sherrin, Maguire dhe shokët e tij sulmuan edhe efektivët e policisë duke i goditur. Futbollisti i “djajve të kuq” dhe dy shokë të tij u arrestuan dhe u dërguan në rajonin e policisë. Por, edhe pse të shoqëruar në komisariat, ata vazhduan të provokonin punonjësit e policisë dhe rrahën dy prej tyre.

Sipas mediave greke, fillimisht sherri në lokal nisi mes dy grupeve. Njëri grup ishte shoqëria e futbollistit Maguire, ku bashkë me të ishin shokë të tjerë të tij të ekipit si Rasford, Brandon Williams etj. Ndërsa grupi i dytë ishin disa anglezë të tjerë, që ngacmonin vajzat të cilat shoqëroheshin me futbollistët.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe ekipi i Manchester United, ku në një deklaratë për mediat njoftoi se është në dijeni të sherrit ku është përfshirë futbollisti Maguire. Skuadra thotë se ka kontaktuar me Harry dhe ky i fundit po bashkëpunon me autoritetet greke. /tvklan.al