Futbollisti Valdrin Mustafa, që luan me Hannover 96 në Gjermani rezultoi pozitiv me koronavirus. Ai është izoluar sëbashku me familjen në Sarbruken.

Për emisionin “Opinion”, futbollisti i përfaqësues së Kosovës U21 tregoi se për momentin është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai theksoi se nuk mund të nuhasë dhe të shijojë ushqimin, simptoma këto që e kanë pasur edhe të tjerë të prekur me koronavirus.

“Për momentin jam shumë mirë, kam pak dhimbje koke. Nuk kam nuhatje dhe shijim të ushqimit. Kisha dhimbje fyti dhe gjoksi. Më vinte shumë vështirë për frymëmarrjen, por për momentin jam shumë mirë.

Jam në ditën e 10, nesër do të bëj testin e fundit për koronavirus dhe ishalla Zotit do kaloj në negativ”, tha Mustafa, i cili u shpreh se është në kontakt të vazhdueshëm me mjekët.

Ai rrëfeu se tek ekipi ku luan, pozitiv me COVID-19 ka rezultuar edhe shoku i tij i ngushtë ndërsa lojtarët e tjerët nuk janë infektuar. Futbollisti tregoi edhe këshillat që i kanë dhënë mjekët.

“Mjeku më ka thënë që të rri në shtëpi dhe të marr shumë vitamina, të pi çaj dhe të qëndroj në shtëpi dhe të fle shumë”, tha ai. /tvklan.al