Emiliano Sala, futbollisti i skuadrës së Cardiff në Angli, kishte parandjerë rrezikun në avion dhe u kishte dërguar mesazhe zanore shokëve të tij. Këtyre të fundit, ai u thoshte se i druhej faktit që avioni do të rrëzohej.

28-vjeçari ishte në bordin e një avioni të vogël që u ngrit nga aeroporti i Nantes në Francë dhe më pas humbi kontaktet.

“Përshëndetje vëllezërit e mi, si jeni? Vëlla, unë jam i vdekur, isha në Nantes duke bërë disa gjëra. Jam në bordin e një avioni që duket se do të rrëzohet. Po shkoj në Cardiff. Nëse pas 1 ore e gjysmë nuk keni njoftime të tjera nga mua, nuk e di nëse duhet të dërgoni njerëz të më kërkojnë. Jam i frikësuar”.

Me këto fjalë u është drejtuar shokëve të tij më të ngushtë, duke u dërguar mesazhe zanore. Ai u tregoi gjithashtu miqve se avioni po bënte zhurma të çuditshme dhe ishte i frikësuar për sigurinë e tij në kthim.

Aeroplani, në bordin e të cilit ndodheshin vetëm Emiliano Sala dhe piloti, dyshohet se u rrëzua për shkak të kushteve të këqija të motit. Kur ndodhej në 1500 metra lartësi, avioni kontaktoi me kullën e kontrollit ajror për herë të fundit. Kur u ul në 700 metra lartësi, humbi kontaktet. Autoritetet franceze kanë gjetur në ujë disa objekte, por kanë paralajmëruar se nuk presin që të gjejnë të mbijetuar.

/tvklan.al