Nëse për shumicën e futbollistëve, pandemia e Covid-19 prish planet për të ardhmen, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për sulmuesin e Tottenham, Heung Min-Son.

27-vjeçari ka vendosur ta shfrytëzojë në maksimum këtë periudhë, teka ka vendosur të vishet ushtarak dhe të shërbejë në ushtrinë e Koresë së Jugut. Sulmuesi është i detyruar që të qëndrojë në bazë për 3 javë, ndryshe nga pjesa tjetër e të rinjve koreano-jugorë që do të shërbejnë për 21 javë.

Kjo për shkak se futbollisti udhëhoqi kombëtaren koreane drejt medaljes së artë në Lojërat Aziatike 2018.

Orët e fundit po qarkullojnë disa pamje ku shfaqet Son me veshjen e kamuflazhit, me pjesën më të madhe të fytyrës së tij të mbuluar nga një maskë ku duken vetëm sytë.

Gjithashtu, Son është i pajisur me një armë, teksa mban numrin 136 në veshje dhe në helmetën e tij. Futbollisti i Tottenham po shërben në ishullin Jeju në jug të Gadishullit Korean.

Ai do të qëndrojë në këtë territor deri më 10 Maj, kur pritet të udhëtojë drejt Mbretërisë së Bashkuar, aty ku e pret një periudhë karantinimi prej 14 ditësh.

Klan Plus