Autopsia ka përcaktuar shkaqet e vdekjes së futbollistit Emiliano Sala, avioni me të cilin udhëtonte ai u rrëzua në det me 21 Janar. 28-vjeçari humbi jetën nga plagët në kokë dhe në gjoks të shkaktuara nga përplasja e avionit në det.

Ai u identifikua përmes shenjave të gishtave, pasi trupi i pajetë u gjet në thellësinë e detit nga një ekip i specializuar kërkimesh. Ndërkohë, po vijojnë edhe hetimet nga autoritetet për shkaqet e rrëzimit të aeroplanit. Këto hetime pritet të zgjasin nga 6 deri në 12 muaj, ndonëse brenda 2 javësh pritet të dalë një raport i përkohshëm paraprak.

Në bordin e avionit që u rrëzua ishin vetëm piloti dhe futbollisti. Ky i fundit sapo kishte nënshkruar me ekipin e Cardiff dhe ishte nisur nga Franca drejt Uellsit. Aeroplani i vogël tip Piper Malibu humbi kontrollin në radio dhe u zhduk nga radarët. Mbetjet e avionit u gjetën javën e kaluar në thellësinë e detit pranë brigjeve franceze.

/tvklan.al