Një oficer policie mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me dy grabitës që bastisën një autobus në Meksikë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 24 Korrikut në Valle de Chalco Solidaridad, por pamjet e kapura nga kamera e sigurisë në autobus u publikuan një ditë më parë.

Në to shihet momenti kur një polic që ndodhej jashtë shërbimit, hap zjarr mbi dy grabitësit, përpara se të qëllohej për vdekje nga një prej tyre.

Në kamera shihet një prej grabitësve që kërkon nga pasagjerët që t’i dorëzojnë sendet me vlerë. Më pas ai godet shoferin duke i kërkuar që të shkojë në rrugën e urdhëruar prej tij.

Oficeri i policisë, emri i të cilit nuk është bërë publik nga autoritetet, mund të shihet i ulur në rreshtin e tretë nga dritarja, krah një pasagjeri tjetër.

Ai dallohet teksa kërkon për armën e më pas hap zjarr disa herë në drejtim të grabitësit që po qëndronte krah shoferit. Më pas oficeri kthehet dhe qëllon në anën tjetër, në drejtim të grabitësit tjetër që ndodhej në fund të autobusit.

Sipas asaj që shkruan DailyMail, oficeri hero qëlloi edhe të paktën dy herë të tjera në drejtim të grabitësit që ndodhej tek shoferi, përpara se një prej tyre ta qëllonte për vdekje.

Grabitësit tentuan që të largoheshin nga autobusi, por në këtë moment ishin pasagjerët të cilët i gjëmuan dhe i dhunuan për vdekje. Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe dy pasagjerë.

Video në fjalë u publikua online dhe u bë virale të premten, teksa autoritetet, zyrtarët e qeverisë dhe banorët po përballen me një valë grabitjesh gjatë ditëve të fundit në mjetet e transportit publik./tvklan.al