Silver Koço dhe Spartak Gega synonin hotelet e komplekset e banimit
Një grup kriminal që kryente vjedhje me armë dhe dhunë, është goditur nga policia. Ata kryenin grabitje kryesisht në zonat turistike si në Himarë, apo dhe në Golem. Të rinjtë synonin hotelet, komplekset e banimit dhe vilat luksoze. Në pranga kanë rënë Silver Koço dhe Spartak Gega, ndërsa në kërkim është shpallur Armando Psatha. Vila e fundit që ata kishin vjedhur ishte dy ditë më parë në Golem të Kavajës.
Para grabitjeve, anëtarët e grupit, dëmtonin kamerat e sigurisë që të mos identifikoheshin. Në brendësi të vilave, siç duket nga këto pamje, ata hynin krah për krah njëri-tjetrit, të qetë dhe të pa shqetësuar, duke kapërcyer muret.
Dy të arrestuarve, policia i sekuestroi 3180 euro, 100 franga zvicerane, 140 dollarë, 110 paund, 10.000 mijë lekë të rinj, një automjet tip “Smart”, 3 celularë dhe veshjet e përdorura nga autorët, gjatë vjedhjeve. Të tre të rinjtë me banim në Durrës janë me precedentë të theksuar penalë në fushën e vjedhjes me dhunë dhe me armë. Ky grup, në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje në banesa, në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë. Operacioni i policisë u kodua “Piketat”.
Klan News