“Veç ndotjes, problem dhe mungesa e stafeve të kualifikuara. Të hiqen masat se po na penalizojnë”

Futja e Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta për COVID-19, nga Bashkimi Europian , sipas kreut të Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, do të reflektohet edhe te rritja e numrit të turistëve në javët në vijim, edhe pse jemi larg vitit 2019, ku gjatë një viti vinin 120 çartera ndërsa aktualisht 30.

“Dhe pse Shqipëria futet në një vend të sigurt, pra ka një incident shuëm të ulët dhe pse shumë nga rajonet e Shqipërisë janë Covid free, akoma disa nga shtetet janë skeptike, ndoshta edhe për shkak të politikave që ata ndjekin, le të themi edhe jo dashamirëse ndaj shqipatrëve”, tha Kasa.

Veç ndotjes dhe mbetjeve inertet kasa thotë se shumë zona turistike vuajnë mungesën e stafeve të kualifikuara. Por cilat rajone janë më problematike?

“Mungesa e shërbimit te infrastrukturat, të cilat me gjithë dëshirën e tyre të mirë nuk kanë pasur mundësi të kenë staf të kualifikuar edhe për motivin se një pjesë e këtij stafi të kualifikuar që më shumë mund të ishte arritur në 2019, u largua nga puna. Jugu përgjithësisht ka probleme me gjetjen e stafit të kualifikuar. Kamarierët apo recepsionistët atje merren nga Tirana, në Himarë apo Dhërmi”, u shpreh ai.

Sektori që u godit më shumë nga pandemia është turizmi. Por penalizimi sipas kreut të Unionit Turistik vijon për shkak të masave kufizuese, ndaj ata kanë kërkuar heqjen e tyre.

“Subjektet kanë pësuar një dëm të madh gjatë pandemisë duke u penalizuar, duke mos u lejuar të hapen dhe të ushtrojnë aktivitet. Besoj që ka ardhur koha që eventet të zhvillohen, megjithatë kemi kërkuar që numri së paku nga 50 të rritet deri në 100 persona”.

Në vendin tonë ora policore është nga ora 23:00-6:00,muzika lejohet deri në orën 22:00, ndërkohë që eventet dhe grumbullimet jo më shumë se 50 persona.

Klan News