“Spotify” rendit Dua Lipën si këngëtaren më të klikuar

“Future Nostalgia” po i shërben Dua Lipës që të shkruaj suksesin e radhës. Këtë herë platforma Spotify e ka renditur si artisten më të dëgjuar përgjatë këtij viti. Publikimi i këtij albumi erdhi në muajin Mars, kur edhe pandemia u përhap, që edhe pse nga ana e Dua-s shihej me mjaft dyshim, po e ngjit atë shumë lart në klasifikime.

Dua Lipa bëhet e para femër, e cila deri më tani në këtë platformë muzikore e ka kaluar shifrën prej dy miliardë dëgjimeve. Në Prill “Future Nostalgia” u bë albumi më i transmetuar nga një artiste femër. Më pas Dua Lipa u rendit në Top 5 e “Billboard Hot 100”. Shumë analistë të muzikës e kanë konsideruar këngëtaren shqiptare gjithashtu si kandidate për një seri çmimesh “Grammy”, duke vlerësuar në maksimum talentin dhe punën e saj.

Albumi që do të thotë “Nostalgjia e së ardhmes”, ka gjithsej 11 këngë. Tre nga këngët e këtij albumi deri më tani janë realizuar edhe me klipe: “Don’t start now”, “Physical” dhe “Break my heart”.

Ndërkaq bukuroshja me origjinë shqiptare është nominuar për “ARIA Awards 2020” në kategorinë “Artisti më i mirë internacional” dhe për këtë ka ndikuar jo pak albumi i saj “Future Nostalgia”. Kjo ceremoni do të mbahet në Australi dhe do të transmetohet në Channel Nine në 25 Nëntor.

Klan Plus