Izraelit i njihet e drejta e vetëmbrojtjes, por të mos kalojë kufijtë

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-ës u shfaqën të unifikuar në qëndrimin e tyre për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit që rrezikon të zgjerohet përtej kufijve të këtyre shteteve. Në deklaratën e përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Kanadaja, me pjesëmarrjen edhe të Bashkimit Europian bënë thirrje për armëpushim humanitar në Gaza.

Izraelit i njihet e drejta e vetëmbrojtjes përballë sulmit të befasishëm të Hamasit të 7 Tetorit, ku u vranë 1500 njerëz. Mbrojtja megjithatë, nuk duhet të kalojë kufijtë e përcaktuar nga ligjet ndërkombëtare. Hamasit po ashtu i bëhet thirrje të lirojë 240 pengjet e marra në sulmin në jug të Izraelit. Kryediplomatët e G7-ës shprehën në deklaratën e përbashkët, angazhimin për hartimin e një pakete sanksionesh ndaj Hamasit, për t’i ndërprerë të gjitha financimet nga jashtë.

Sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken në një konferencë për shtyp në përfundim të samitit 2-ditor i bëri thirrje Izraelit, të mos e ripushtojë Rripin e Gazës pas luftës. Këtë e la të nënkuptuar, vetë kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu në një intervistë për televizionet amerikane të Hënën, ku tha se pasi të zhdukë Hamasin, Izraeli do të marrë përgjegjësinë për sigurinë e Rripit të Gazës.

Tv Klan