Të shumta kanë qenë rastet kur emisioni “Stop” në Tv Klan ka denoncuar gabimet dhe pasaktësisë e bëra nga në zyrat e gjendjes civile, që në fakt u kanë shkaktuar probleme qytetarëve.

“Stop” ka trajtuar sërish një rast të tillë. Në Fratar të Mallakastrës, Fatmir Taraj na tregon se për shkak të gabimeve në Gjendjen Civile, familja e tij është e ndarë në dy shtete. Fatmiri është martuar me një shtetase greke të quajtur Nikoletta Kountouri. Pasi sollën në jetë fëmijën e parë jashtë martese, shkuan tek noteri Agron Hasanbashaj për të bërë njohjen e fëmijës.

Më pas iu drejtuan zyrës së Gjendjes Civile Fratar për të bërë regjistrimin e fëmijës, por pas disa kohësh zbuluan se ishte bërë gabim emri dhe mbiemri i bashkëshortes si dhe shtetësia e vajzave, në greke nga shqiptare. Në këto kushte, Fatmiri iu drejtua Gjykatës Administrative së Vlorës dhe me vendim të saj, punonjësi i gjendjes civile,Ylli Pashaj korrigjoi gabimin e emrit dhe mbiemrit, por jo shtetësinë. Vetëm për një shkronjë gabim në emër, Fatmir Taraj u detyrua të paguante 2.5 milionë Lekë të vjetra procedura gjyqësore.

Fatmir Taraj: Në vitin 2009 unë jam martuar me shtetasen greke Nikoletta Kountouri. Pasi lindi dhe fëmija i parë, e kishim jashtë martese dhe bëmë një deklarim noterial tek noteri Agron Hasanbashaj. Zotëria në fjalë më ka bërë gabim drejtshkrimor nga me 2 tt që e ka bashkëshortja, e ka bërë me 1 dhe nga Kountouri e ka bërë Koundouri. Dhe si rrjedhojë u regjistrua dhe vajza e parë dhe vajza e dytë po me të njëjtat probleme. Për këtë arsye ju drejtova Gjykatës Administrative Shkallës së Parë Vlorë. Dhe më dha të drejtë që të ndryshonte emër mbiemër të bashkëshortes dhe emër mbiemër dhe te regjistrimi i fëmijëve. Me këtë vendim gjykate të formës së prerë i drejtohem z.Ylli Pashaj, nënpunës i Gjendjes Civile, për korrigjim. Dhe tani më del problemi tjetër që zotëria në fjalë më ka bërë dhe shtetësinë e fëmijëve greke, gjë kjo që mund të më shkojë me gjykatë përsëri. Dhe nga momenti që shkoj për të aplikuar për pasaportën e fëmijëve, mua më rezulton që nuk nxjerr dot pasaportë për fëmijët këtu në Shqipëri, sepse nuk janë të regjistruar, janë të regjistruar me shtetësi greke. Në Greqi nuk i kaloj dot në pikat kufitare, kam folur me doganën e Kakavijes dhe më kanë thënë që duhet nxjerrë me patjetër pasaportë që të kenë mjet identifikimi për të kaluar pikat kufitare. Dhe unë i bie tani që të bëj dy herë gjyq. Gjyqi i parë ka shkuar 2 milionë e gjysmë Lekë. Tani çfarë taksiratesh kam unë të bredh përsëri me gjyqe dhe me shpenzime.

Specialisti i Gjendjes Civile i tha gazetares së “Stop” se me vendim gjykate u rregullua emri dhe mbiemri i bashkëshortes, por u la gabim nënshtetësia e fëmijëve.

Specialisti Ylli Pashaj: Me vendim gjykate u rregullua emri dhe mbiemri. Tani u bë gabim nënshtetësia e fëmijëve. Do korrigjohet. U bë nga noteri përshkrimi gabim.

Gazetarja e emisionit komunikoi me noterin Agron Hasanbashaj, i cili ia kaloi fajin përkthyeses.

Noteri Agron Hasanbashaj: Po unë nuk jam përkthyes, të lutem! Unë jam noter dhe e kam noterizuar atë çfarë ka përkthyer përkthyesja. Ne firmosim, por vërtetojmë nënshkrimin e firmës së përkthyesit. Tani, përderisa nuk është parë me atë sy, do të thotë që s’ka shku mendja! Duhet të flasim me përkthyesen.

Nga ana tjetër, përkthyesja Rovena Marku shprehet se përkthyesit nuk kanë një praktikë të unifikuar për këto raste, prandaj dhe bëhen shumë gabime të tilla.

Përkthyesja Rovena Marku: Zakonisht, për ne përkthyesit, nuk ka një praktikë të unifikuar të shtetit shqiptar, si të bëhet përkthimi i emrave. Zakonisht, ne në përkthim, na sjellin certifikata martese nga shteti grek në dy variantet;

Në qoftë se më ka ardh akti i latinizuar, është gabimi im. Nuk është vetëm ky, ne kemi patur shumë problem si përkthyes. E para ka qenë me toponimet. Problemi tjetër ka qenë, sepse me emrat e përveçëm në shqip, i shkruajmë të shqipëruar dhe kjo bëhet në bazë të rregullave të drejtshkrimit, që ka gjuha shqipe, të miratuar nga kongresi i ‘72-it. Për shembull, në qoftë se unë kam një emër, Haralambu, unë në shqip do ta shkruaj Harallamb. I latinizuar ai shkruhet Charalambous. Agjelos; shqip e shkruajmë “ngj”, ndërsa në greqisht kjo shkruhet me 2 g(gg).Zotëria nuk e donte Angjelos në shqip, por e donte me 2 g(gg). Çfarë të bëj unë tani si përkthyese? Se detyrohem e bëj si e do klienti. Për shkak se neve na mungon një praktikë e unifikuar, që ta marrë nga Ministria përkatëse, nuk kemi një ligj, një VKM, një rregullore, që ne si përkthyes, të kemi një detyrim ligjor, apo të kemi një orientim. Dhe zakonisht në raste të tilla, ne i referohemi palëve dhe i themi si e do ti, ta shkruajmë emrin. Po ai nuk e pa aktin, kur e mori, në qoftë se e kam bërë unë gabim?

Gazetarja: E ka parë me mirëbesim.

Përkthyesja Rovena Marku: I kërkoj shumë ndjesë, në qoftë se ka qenë faji im!

Gazetarja: Ndjesa jote, ndjesa e noterit, ndjesa e punonjësit të Gjendjes Civile, zotërisë i shkoi 2 milionë e gjysmë.

Përkthyesja Rovena Marku: Pse kaq shumë?

Gazetarja: Duhet të pyetet avokati që njihet me çështjen 500 Euro, mbrojtja, vazhdimi i gjyqit, deri në përfundim.

Syri Malaj, përgjegjës në Drejtorinë e Gjendjes Civile Mallakastër, thotë se qytetari duhet t’i drejtojë shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Ambasadës Greke, që kjo e fundit ta pajisë me një leje kalimi. Më pas vajzat mund të marrin pasaportë greke, ose shtetësi shqiptare me dekret Presidenti.

Përgjegjësi Syri Malaj: Në rastin konkret, kur fëmijët e këtij zotërisë, kanë marrë shtetësinë greke, duhet të prodhojnë pasaporta në shtetin grek, se nuk ka zgjidhje nga ana jonë problemi! Ai zotëria të paraqitet pranë zyrës tonë, apo pranë Drejtorisë së  Përgjithshme, për të sugjeruar zgjidhjen e problemit të tij. Të paraqitet në Konsullatën apo Ambasadën Greke, ta vërë në dijeni për problemin, se nuk më prodhohet pasaportë këtu, ku fëmijët e mi me nënshtetësi greke, ndoshta i japin letër, ndoshta i krijojnë një mundësi, që fëmijët të kalojnë matanë në shtetin grek dhe atje le të procedojë, për të marrë pasaportë greke. Shtetësia merret dhe lëshohet me dekret Presidenti.

Së bashku me gazetaren e Stop, qytetari Fatmir Taraj ju drejtua zyrës së përgjithshme të Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme dhe më pas institucionit të Presidentit të Republikës për të zgjidhur problemin. Pas disa kohësh, çështja u rregullua dhe vajzat e Fatmirit fituan shtetësinë shqiptare. /tvklan.al