Marsela Fusha nga Berati është nënë e 3 fëmijëve, babai i të cilëve nuk e ka njohur atësinë dhe ata kanë përfituar statusin e jetimit. Fëmija i madh i saj trajtohet edhe me KEMP. Së fundmi, thotë Marsela në emisionin “Stop” në Tv Klan, i është ndërprerë pagesa e statusit të jetimit pasi djali ka KEMP dhe nuk i takojnë të dyja. Si të mos mjaftonte kjo, në mënyrë që të kthehet pagesa e dhënë i kanë ndërprerë edhe fëmijës së dytë pagesën e statusit të jetimit.
Sot Marselës i kanë hequr 2 pagesat e statusit të jetimit duke ia vështirësuar edhe mbijetesën.Në Drejtorinë e Shërbimit Social, drejtoresha thotë që ky institucion ia ka dhënë statusin, por është përgjegjësi e Administratorit Shoqëror të Bashkisë që të veprojë.
Drejtoresha: Ky është problemi dhe gabimi i Administratorit Shoqëror të Bashkisë, nuk është problemi jonë. Merret nga Shërbimi Social, i çelet pushtetit vendor dhe në momentin që bëhen pagesat, pagesat bëhen nga pushteti vendor. Nuk është se është problemi jonë dhe ne kemi penguar pagesën që zonja mos të marrë, me ne zonja është në rregull. Ne kemi dhënë statusin e jetimit, ne kemi dhënë dhe pagesën e aftësisë së kufizuar dhe me ne s’ka asnjë problem. Gabimi qoftë njerëzor, qoftë procedurial, është bërë nga Administratori Shoqëror dhe jo nga ne.
Drejtori i Shërbimit Social në bashkinë e Beratit, Piro Xheblati, u vu në kontakt me personat përgjegjës dhe tha se fëmijës i takon pagesa dhe nuk do të ketë asnjë ndërprerje./tvklan.al