Nuri Dauti nga fshati Rrumbullak në Peqin u ankua në “Stop”, se zyra e Gjendjes Civile në Njësinë Gjocaj, nëpërmjet  një certifikate familjare, i ka dhënë të drejtë vëllait të vet, që jeton në Angli, të jetë në gjendjen familjare me babanë e ndjerë, kur në të vërtetë, babai i ndjerë ka jetuar me Nuriun dhe jo  me të.

“Unë kam një konflikt me vëllain tim që jeton në Angli për punë pronash. Ka ardhur këtu në Gjocaj, ka marrë një certifikatë, ka marrë përsipër babanë 16 vjet pas vdekjes. Domethënë ka bërë bashkim familjar me babanë”, tha Nuri Dauti.

Vëllai, Hazizi, vjen pas vdekjes së të atit dhe i drejtohet gjendjes civile,  merr një certifikatë familjare, në përbërje të së cilës, është edhe babai. Por, Nuriu ka shumë certifikata familjare, ku babai është me të dhe jo me Hazizin.

“Kjo vërteton se Hazizi ka bërë bashkim familjar me babanë vetëm për të fituar prona. Faktikisht kjo kundërshtohet me certifikatat që kam marrë unë, që kam marrë shumë certifikata që babai figuron me mua. Kjo vërteton që babai ka qenë gjithmonë me mua”, tha ai.

Nuriu shprehet, se me anë të këtij dokumenti, Hazizi çeli testamentin e të atit , i cili ia lë atij pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Nuriu ka dyshime se janë bërë falsifikime. Punonjësja e Gjendjes Civile, pranon, që e ka bërë ajo gabimin dhe thotë, se edhe vetë nuk ia fal vetes. Por këto, që ikën, ikën…

Punonjësja e Gjendjes Civile: Tani, edhe unë po çuditem, për të thënë të drejtën.

Gazetari: A janë të firmosura prej jush?

Punonjësja e Gjendjes Civile: Po, nuk e mohoj. Jam plotësisht dakord. Bie ndesh me dy certifikatat, që… 18.05-18.05. Hazizi ka ikur në vitin ’92.

Gazetari: Po, dhe certifikatat, që zotëron z. Nuri, vërtetojnë, që z. Qamil, i  ndjeri ka qenë pjesë e këtyre dhe jo e Hazizit, sepse ai i braktisi prindërit dhe u largua në emigrim. Si vjen ai dhe i ndjeri e gjen veten në certifikatën e tij?

Punonjësja e Gjendjes Civile: Nuk e kuptoj, nuk e mbaj mend, të betohem!

Gazetari: Po nuk është puna, që ju mbani, ose nuk mbani mend. Ju jeni një punonjëse shteti, shumë e rëndësishme, prej ku dalin  dokumente shumë të rëndësishme, që ose ndreqin punë, ose prishin punë. Kanë prishur punën e zotit Nuri dhe kanë ndrequr punën e vëllait tjetër. Ai me këto dokumente, mendohet se është tjetërsuar një testament, ku thuhet, se i ndjeri ia ka lënë të gjitha pasuritë, të luajtshme dhe të paluajtshme, Hazizit dhe jo Nuriut, ku Nuriu e ka patur gjatë gjithë kohës në trung dhe këtë e vërtetojnë certifikatat. Si i bëhet tani?

Punonjësja e Gjendjes Civile: Nuk di, se si i bëhet. Nuk mbaj mend, se si e kam dhënë këtë certifikatë. Nuk e kuptoj.

Gazetari: Tjetër përmbajtje i keni dhënë zotit Nuri dhe  në 2018 ia ke dhënë z. Haziz, por me Qamilin nën vete.

Punonjësja e Gjendjes Civile: Unë vras mendjen…

Gazetari: Epo, si i bëhet tani?

Gazetari: A ka ardhur ndonjëherë z. Haziz, qoftë t’ju kërkojë një favor, ose të ketë paguar diçka, ose shoqërisht?

Punonjësja e Gjendjes Civile: Kurrën e kurrës! Nuk kam as shoqëri me atë. Po të jetë për shoqëri, kam me këtë. Ta shoh prapë Hazizin, nuk e njoh.

Gazetari: I bie, që unë të vij nesër dhe të kërkoj, nuk jam banor i Gjocajt dhe të them, se dua pak certifikatën familjare për efekt trashëgimie dhe ti do më japësh certifikatën e z. Nuri?

Punonjësja e Gjendjes Civile: Jo, do të kërkoj dokumentin për atë punë!

Gazetari: Me kaq vite punë, gabime të tilla janë të pajustifikuara.

Punonjësja e Gjendjes Civile: Edhe unë nuk ia fal vetes.

Gazetari: Nuk ia fal vetes moralisht, por është gabim institucional.

Gazetari: Ka një rregullim për këtë?

Punonjësja e Gjendjes Civile: Këto, që ikën, ikën./tvklan.al