Ylli i Wonder Woman, Gal Gadot në një postim në rrjetet sociale ka reaguar për tensionet dhe dhunën e ditëve të fundit mes Izraelit dhe palestinezëve. Aktorja e famshme, në të kaluarën është zgjedhur Miss Izraeli, ndërsa ka bërë edhe dy vite shërbim ushtarak, i cili është i detyrueshëm.

“Izraeli meriton të jetojë si një komb i lirë dhe i sigurt. Fqinjët tanë meritojnë të njëjtën gjë. Vendi im është në luftë. Unë shqetësohem për familjen time dhe miqtë e mi. Shqetësohem për njerëzit e mi.

Ky është një cikël i mbrapshtë që ka zgjatur për shumë kohë. Unë lutem për viktimat dhe familjet e tyre. Unë lutem që kjo armiqësi e paimagjinueshme të marrë fund, lutem që udhëheqësit tanë të gjejnë zgjidhjen që të mund të jetojmë krah për krah në paqe. Unë lutem për ditë më të mira”, shkroi 36-vjeçarja në Twitter.

Ndërkohë në lidhje me këtë koment të aktores bukurohe ka paur me mijëra reagime.  Politikani amerikan Ted Cruz e vlerësoi aktoren për fjalët e saj.   Ndërsa  mbështetësit e çështjes palestineze e kanë kritikuar 36-vjeçaren , duke i rikujtuar asaj shërbimin në ushtrinë e Izraelit. Katër vite më parë, Libani ndaloi Wonder Woman nga kinematë, pasi personazhi kryesor luhej nga aktorja izraelite.

Por, Gal Gadot nuk është personazhi i parë i famshëm i përfshirë në këtë çështje. Një ditë më parë ishin motrat Hadid, babai i të cilave Mohamed Hadid, ka lindur në Nazaret në Nëntor 1948, 4 muaj pasi qyteti u mor nga forcat izraelite. Ai u zhvendos në fillim në Siri, ndërsa më pas në Uashington DC.

Klan News