Ambasada Amerikane në Tiranë shprehet se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në mbështetjen e përpjekjeve të vendit tonë për të forcuar sundimin e ligjit përmes proceseve transparente.

Në një postim të bërë në Facebook, Ambasada ka publikuar fotot e kandidatëve për kreun e BKH, ndërsa ka bërë me dije se ata i janë nënshtruar testit fizik dhe atij për aftësitë juridike, ndërsa faza tjetër do të jetë testi i poligrafit që i paraprin intervistës.

Sipas Ambasadës, testet e zhvilluara për kandidatët e BKH janë  frymëzuar nga praktikat më të mira të FB-së.

 “Në përputhje me ligjin e SPAK dhe frymëzuar nga praktikat më e mira të FBI-së, kandidatët e mundshëm duhet të dëshmojnë aftësitë e tyre në një larmi provash.

Në 6 Shkurt, kandidatët iu nënshtruan një prove të aftësive fizike që përfshinte 300 metra vrapim me shpejtësi, 2.4 kilometra vrap, dhe ushtrime të tjera. Pas këtij provimi, më 10 Shkurt kandidatët morën pjesë në një testim me shkrim me dy pjesë, për të provuar aftësinë e tyre të shkrimit profesional dhe për të sprovuar aftësitë e tyre në shkathtësinë mendore dhe zgjidhjen e problemeve.

Rezultatet nga provimet i shtohen një totali përmbledhës dhe do të përcaktojnë gjashtë kandidatët kryesorë që do të kalojnë në fazën përfundimtare: në testimin poligrafik dhe intervistën finale. Ky proces transparent dhe objektiv është një hap tjetër drejt vendosjes së sistemit të drejtësisë etik, transparent dhe profesional që qytetarët meritojnë”. /tvklan.al