Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar sot fushatën për zgjedhjet në PD në Kurbin, Tropojë e Mirditë. Basha ka zhvilluar takime me demokratët në këto qytete duke e vënë sërish theksin tek zgjedhjet e 25 Prillit, duke e quajtur një arrest kardiak për demokracinë.

Sipas Bashës, “dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitore të Ramës dhe jo masakër zgjedhore, mund të çojë në një përçarje”. Ai u kërkoi të gjithë demokratëve që të vendosin PD-në mbi veten e tyre.

Më tej kërkoi të gjithë demokratëve që të votonin për të dhe tha se nëse të gjithë bëhen bashkë Partia Demokratike do të arrijë drejt fitores.

” Edhe në momentin kur u firmos 5 Qershori akoma pa e shkelur, prapëseprapë ju e dinit, unë ua thash drejtpërdrejtë, jua thash përmes medias që të firmosësh një marrëveshje me Edi Ramen apo të ndryshosh një ligj me Edi Ramën, s’ka pikë vlere se ai edhe ligjin e vetë e shkel, edhe ligjin e rënë dakord me ne do ta shkel dhe ashtu ndodhi. E ndryshoi edhe atë që ndryshoi, prapë e shkeli. Por ajo që Shqipëria përjetoi me 25 Prill, është arrest kardiak i demokracisë sepse tjetërsimi i vullnetit të shqiptarëve nuk ndodhi në 1, 2, 3 apo 10 forma, por ndodhi në të gjithë format e mundshme.

Dhe çdo ditë që kalon, në çdo qark që vizitoj, në çdo ekspozim që i bëhet fakteve del katalogu i plotë, i gjatë, i vjedhjes, blerjes, shantazhit, intimidimit, presionit të tre faktorëve. Një partie të korruptuar deri në palcë dhe qeveris që ajo ka, shkrirjes se strukturave shtetërore me atë parti dhe faktorit të krimit të organizuar dhe të oligarkisë që u bën njish për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve. Nga ana tjetër Partia Demokratike doli në këtë betejë, siç e dinë themeluesit dhe qëndrestarët mes jush, njësoj si në 91.

Pa asnjë pushtet por me pushtetin me të madh që zoti mund t’i falë njeriut, me pushtetin moral, me pushtetin e zemrave, me pasionin dhe fuqinë për të ndihmuar njerëzit në aspiratën e tyre për ndryshim. Me shpresën e tyre se 25 Prilli do t’i jepte fund jo thjesht lëngatës 8 vjeçare, por shume prej pikëpyetjeve dhe dilemave që i mbanin akoma peng.

25 Prilli solli në fakt një ndryshim, e solli këtë ndryshim anembanë Shqipërisë, falë kësaj fuqie që ne projektuam, u rritëm, u bëmë më të mëdhenj por edhe pse beteja u luftua me energjinë më të madhe prapëseprapë regjimi me një ngushticë më të vogël se gjysma e votave të pavlefshme, për shkak të heqjes së emrave pasi shkurtoi listat, të tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve.

Megjithatë kurbinasit dhe jo vetëm, demokratët anembanë vendit e kanë sot kokën lart për një arsye: se në këtë betejë ne hymë me një kauz morale dhe me këtë kauz morale dhe vetëm me atë kauz morale arritëm të tërheqim një numër të madh shqiptarësh të cilët shpërfillën blerjen e votës, shantazhi kriminal, shantazhin për bukën e gojës, shantazhin për vendin e punës, dhunën barbare që i trajton jo si të jenë kundërshtarë politik por si armiq, njësoj si në 45. Arritëm pra, përkundër të gjithave jo vetëm të ngrihemi në këmbë, por arritëm diçka që pak forca politike e kanë arritur në këto kushte“, tha ndër të tjera Basha./tvklan.al