Pjesë e garës për në universitet janë bërë rreth 23 mijë maturantë. Sipas drejtorit të Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, maturantët duke mos qenë të fokusuar në një degë në 90% të rasteve kanë plotësuar 10 preferenca se ku duan të ndjekin arsimin e lartë. Ndërkohë që në krye të listës vijojnë të mbeten degët e ekonomisë dhe juridiku.

Një gjë pozitive sipas Xhelaj është se rritja e mesatares së aplikimit në 7.5, për degët e mësuesisë nuk ka ulur numrin e maturantëve që garojnë në këto degë.

Por ajo që bie në sy është rritja e aplikimeve për degët e mjekësisë dhe të infermierisë. Kjo gjë sipas tij lidhet më shumë me mundësitë e emigrimit jashtë vendit sa me mundësitë e punësimit brenda vendit. Ndërkohë që nga të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave, papunësia e shqiptarëve me arsim të lartë është luhatur nga 18 – 21% përgjatë 3 viteve të fundit. Për ekspertët e arsimit kjo është e lidhur jo vetëm me mungesën e vendeve të punës, por më së shumti me mungesën e studimeve për t’i orientuar studimet me nevojat e tregut.

Universitetet duke filluar nga e hëna e javës që vjen do të nisin përpunimin e të dhënave të çdo aplikanti më tej në datën 30 Gusht pritet që të shpallen fituesit e fazës së parë.

Tv Klan