Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Eduard Selami thotë se kryetari i vetëngrirë Lulzim Basha përfaqëson një model të dështuar. Katër vjet pasi Basha u zgjodh në krye të partisë Selami tha se ndihet i penduar që tërhoqi kandidaturën e tij në garën për kreun e kësaj force politike.

“Thashë sa mirë një i ri i edukuar jashtë, vjen për të kontribuar. Thashë hajde ta bëjmë së bashku dhe tërhoqa kandidaturën, sepse mendoja që kandidatura e Bashës është më e mirë në atë kohë, por gjërat rrodhën ndryshe”

, tha Selami.

Ai kërkoi nga demokratët e veriut që të mbështesin platformën e tij përmes së cilës tha se synon ringritjen e Partisë Demokratike dhe rikthimin e besimit tek ndërkombëtarët.

“Hajde të hapim një dialog vlerash me gjithë shtresat dhe qytetarët, ta kthejmë PD në një parti popullore jo thjesht të qendrës së djathtë por dhe me gjerë. Të rikthejmë besimin me partnerët tanë ndërkombëtarë që sot nuk e kemi. Me përjashtim të vitit ‘97, lidershipi i PD sot është më i izoluar se kurrë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Na dolën kundër në mënyrën më flagrante për shkak të gabimeve tona”

, theksoi Eduard Selami.

Selami kërkoi ndjesë për braktisjen e padrejtë që iu është bërë shtresave si ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve dhe premtoi se do ndjekë një politikë krejt ndryshe për rikthimin e tyre. TV KLAN