Bizneset: Edhe pse shteti është garant, interesi 5% është i lartë

Shtyrja e linjës së kredisë së garantuar nga shteti për të vazhduar ndihmën ndaj sektorit të biznesit, duket se i ka gjetur bizneset jo shumë entuziastë. Sipas të dhënave zyrtare, në total për dy muajt e parë të këtij viti, sektori bankar ka dhënë në total 23 milionë Euro linjë kredie për kapital qarkullues.

Arsyet kryesore të rënies së interesit për marrjen e huasë, është situata e paqartë që ka krijuar pandemia, dhe humbjet me të cilat po përballen disa sektorë, sidomos eksportuesit që janë të lidhur drejtpërdrejt me tregjet e huaja.

“Nuk kemi shfaqur shumë interes sepse kemi patur një periudhë të vështirë financiare si në marrjen e kontratave dhe në ecurinë e shitjeve.”

Një tjetër arsye se përse sektori privat është i stepur për të aplikuar në këtë skemë, është interesi i lënë në nivelin 5%. Ata kërkojnë që qeveria të ushtrojë presion mbi bankat për një interes më të ulët, për sa kohë që risku po merret përsipër nga shteti.

“5% është një interes shumë i lartë, kaq është sot tregu. Në rastin e kredisë së garantuar duhet që të jetë më i ulët.”

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia e re për Janarin dhe Shkurtin arriti në 200 milionë Euro, duke u krahasuar me të njëjtat nivele me periudhën e karantinës. Me skemën e garancisë sovrane për kapital pune, bizneset mund të aplikojnë për kredi deri në fund të Qershorit, ku 60% të kolateralit e vendos shteti dhe pjesën tjetër është vlerësim risku për kompaninë që aplikon për linjën e kredisë.

Tv Klan