Ahmetaj: Kemi prekur edhe koncesionet për të siguruar fondet

Qeveria ka hartuar një paketë masash ekonomike për t’i ardhur në ndihmë biznesit dhe shtresave në nevojë, e cila në total zë një shumë prej 210 milionë dollarësh. Në një intervistë për televizionin Klan Arben Ahmetaj, ministri përgjegjës për Rindërtimin dhe situatën ekonomike në kushtet e përhapjes së COVID-19, thotë se janë vënë në dispozicion të familjeve me ndihmë ekonomike dhe ato që janë prekur nga papunësia 20 milionë dollarë fonde për ushqime.

65 milion dollarë do të shkojnë si ndihmë për bizneset e vogla të cilët janë prekur nga bllokimi i aktivitetit ekonomik. Ahmetaj thotë se ndarja e fondeve do të bëhet për bizneset e mbyllura dhe jo për ato që janë aktive e që duhet të garantojnë vetë aktivitetin prodhues.

Për ndërmarrjet me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit qeveria shtyn pagesën e tatim-fitimit për ta bërë në një moment më të mirë ekonomik, ndërsa aktivizion 100 milionë dollarë garanci sovrane që biznesi të marrë overdraft apo kredi për të dhënë pagat e punëtorëve.

Ministri Arben Ahmetaj thotë se situata ekonomike ku ndodhemi nuk duket optimiste e se paratë janë siguruar edhe duke prekur një pjesë të kontratave koncesionare. Aktualisht qeveria ka anuluar për këtë vit rrugën Milot – Balldren, Dukat – Orikum, ka shkurtuar pagesat për koncesionin e check up, laboratorëve dhe inceneratorëve duke përfituar një vlerë prej 17 milionë dollarësh.

I pyetur se sa mund të goditet rritja ekonomike në skenarin aktual dhe atë më negativ, Ahmetaj thotë këtë:

“Nëse shkojmë tek skenari D na ruajtë zoti shqiptarët”.

Tv Klan