Rishikohen me kujdes të dhënat e 17 milionë të vaksinuarve

Prodhuesi anglo-suedez i vaksinave AstraZeneca ritheksoi se nuk ka gjetur ndonjë lidhje midis ilaçit imunizues dhe rrezikut të mpiksjes së gjakut. Kjo deklaratë e AstraZeneca-s vjen pas shqyrtimit të të dhënave të personave të vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Europian.

“Pas rishikimit të kujdesshëm të të dhënave të mbi 17 milionë njerëzve të vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19, nuk na rezulton ndonjë provë e rrezikut të embolisëpulmonare apo trombozëssë thellë venoze, në asnjë grupmoshë, gjini, seri të caktuar të vaksinës në asnjë vend,” thotë një deklaratë e kompanisë.

Shqyrtimi i të dhënave vjen pasi autoritetet në Irlandë, Danimarkë, Norvegji, Islandë dhe Holandë, pezulluan përkohësisht përdorimin e vaksinës në lidhje me rrezikun e mpiksjes së gjakut, ndërsa Austria ndaloi përdorimin e të gjithë serisë së vaksinës së AstraZeneca-s ndërsa heton vdekjet e ndodhura.

“Është për të ardhur keq që disa vende kanë ndaluar vaksinimin si masë parandaluese: një veprim i tillë rrezikon objektivin global të këputjes së zinxhirit të infektimit,” i tha agjencisë Reuters, Peter English, një këshilltar në pension i qeverisë britanike.

Agjencia Europiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thanë gjithashtu se nuk ka asnjë lidhje midis vaksinës dhe rasteve të personave të vdekur nga mpiksja e gjakut.

Vetë AstaZeneca tha se 15 rastet e trombozës venoze dhe 22 rastet e embolisë pulmonare janë të ngjashme me rastet e shkaktuara nga vaksinat e tjera të licencuara kundër COVID-19.

Firma farmaceutike tha se po kryen testime të tjera për të larguar çdo dyshim, ndërsa raporti i vlerësimit do të jetë publik në faqen e EMA-s brenda kësaj jave.

Deri tani vaksina e AstraZeneca-s nuk është miratuar ende nga rregullatori i ShBA-së. Miliona doza qëndrojnë të papërdorura në këtë vend, ndërsa Agjencia Amerikane e Barnave pret të dhënat e provave të fazës së tretë.

Klan News