Një gardh metalik po vendoset përgjatë kufirit Slloveni-Kroaci, për shkak të hyrjeve të paligjshme të emigrantëve. Qeveria njoftoi këtë verë se do të vendoset të paktën 4 km tela me gjemba në zonat afër lumit Kupa midis qyteteve Vinica dhe Zunica.

Ministrja e Brendshme e Sllovenisë ka treguar se pengesat teknike në kufi po vendosen aty ku është i nevojshëm parandalimi i emigrimit të paligjshëm. “Vendosja e pengesave në kushte konkrete merret në bazë të vlerësimeve dhe propozimeve konkrete policore”, theksoi ajo.

Ndërtimi i një gardhi të ri, katër kilometër të gjatë, në shtrirjen midis fshatrave Zunic dhe Zilje, pritet të përfundojë javët e ardhshme. Referuar autoriteteve lokale, gardhi do të shërbejë si një mjet tepër efektiv për policinë, për parandalimin e rritjes së fluksit të emigrantëve, në disa pika kufitare. Për sa i përket kufirit në Kupa midis Vinicës dhe Zunic, ku ka pasur shumë vendkalime të paligjshme gjatë këtij viti, do të ketë plotësisht mbrojtjen e shtetit.

Sllovenia ka vendosur pengesa teknike për të ndaluar valën e emigrantëve në mes të krizës së madhe të migracionit në vitet 2015-2016.  Deri tani, ka rreth 179 km që shërbejnë si “pengesa teknike të përkohshme”, nga ku në 116 km ndarja është bërë me tela me gjemba dhe në 63 km me gardhe metalike.

Klan Plus