Uellsiani firmos me Los Angeles, shok skuadre me Chiellini 

Major Ligë Soker mbetet një destinacion për futbollistët e ligave Europiane në perëndim të karrierës. Pas Lorenzo Insinje që zgjodhi të firmos me Toronton për pjesën tjetër të karrierës së tij, një tjetër emër i bujshëm ka zyrtarizuar akordin në kampionatin amerikan. Bëhet fjalë për Garet Bejl. Uellsiani u largua si lojtar i lirë nga Reali i Madridit për tu kaluar në MLS.

32-vjeçari ka firmosur për një sezon me skuadrën kaliforniane, me opsion edhe për një tjetër vit. Bejl zgjedh të njëjtën rrugë me kapitenin dhe legjendën e Juventusit, Xhorxho Kelini, të cilët do të jenë shokë skuadre në sezonin e ri. 32-vjeçari nënshkroi për Real Madridin nga Tottenham Hotspur në vitin 2013, duke shënuar 106 gola në 258 paraqitje për klubin më të titulluar të futbollit në botë.

Uellsiani do të mbahet mend për dy golat në finalen e Ligës së Kampionëve 2018 kundër Liverpul, si dhe realizimin fantastik kundër Barcelonës në finalen e Kupës së Mbretit 2014. Pavarësisht golave me tepër peshë, ku arriti të fitojë 3 kampionate dhe 5 Çempions Ligë, Bejl mbeti shumë herë jashtë fushave për shkak të dëmtimeve. Me kalimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bejl do ketë ndoshta edhe më shumë kohë për të treguar cilësitë në fushë, jo vetëm të asaj të futbollit por edhe golfit.

Klan News