Përmes një deklarate zyrtare, Floriana Garo nga Komisioni i Rithemelimit ka shkruar se dorëheqja e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike “shënon largimin e tij të zvarritur pa fund, pa asnjë lloj argumentimi dhe asnjë marrje përgjegjësie”. Po ashtu, në deklaratë thuhet se tanimë nuk është koha për të thelluar përçarjen, por për një proces të hapur.

“Akti i fundit i Lulzim Bashës, i shkarkuar me votën e 4446 delegatëve në Kuvendin Historik të Partisë Demokratike të datës 11 Dhjetor 2021, dhe me votën e 44 mijë anëtarëve të PD-së në referendumin e 18 Dhjetorit, shënon largimin e tij të zvarritur pa fund, pa asnjë lloj argumentimi dhe asnjë marrje përgjegjësie.

Me gjithë këtë, kjo është një mundësi e mirë për të bashkuar demokratët përmes institucionit të votës së lirë.

Tani nuk është koha për të nxjerrë “ultimatume” apo deklarata të pavotuara nga të emeruarit e të shkarkuarve.

Të emëruarit e vulës, të shkarkuar nga Kuvendi Historik i 11 Dhjetorit 2021, po kërkojnë të luajnë me bllofin duke besuar se mund të mbajnë peng simbolet e PD-së e duke vënë kushte sipas filozofisë së të dorëhequrit apo nga të emëruarit e tij në PD-në e Vulës.

Tani nuk është koha për thellimin e përçarjes, por për fillimin e një procesi të hapur, të sinqertë dhe përbashkues i cili sigurisht kalon vetëm përmes votës së lirë të demokratëve!”, ka shkruar Floriana Garo./tvklan.al