Ligji i dha mundësinë kryetarëve të partive që të garonin në 4 qarqe të ndryshme në zgjedhjet e 25 Prillit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, zgjodhi që të kandidojë në 2 të tilla, Vlorë, aty ku mban aktualisht mandatin e deputetit dhe në Durrës.

Dilemë mbetej se cilin qark do të mbante kreu i qeverisë për mandatin e deputetit. E këtij misteri duket se i ka ardhur fundi, pasi vetë Rama ka njoftuar zyrtarisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se do të marrë mandatin e fituar në Qarkun e Durrësit.

Vetë kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale tha se Durrësi është vendi ku mandati i tretë duhet të sjellë një hop të ri jo vetëm për qytetin bregdetar, por për të gjithë Shqipërinë.

“Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt Shqipërinë 2030”, shkruan Rama.

Në zgjedhjet e 25 Prillit kryeministri Rama mori 15 047 vota në Durrës dhe në Vlorë 11 412 vota. Vetë kreu i qeverisë është shprehur gjatë fushatës se do të qëndrojë si deputet në qarkun që do ta votojë më shumë.

Më herët gjatë fushatës Rama ka thënë se është momenti i duhur për të qenë deputet në Durrës për t’i dhënë prioritet investimeve që po zhvillohen në këtë qark që është një nga më të mëdhenjtë në vendin tonë./tvklan.al