ushtare-US

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të dërgojnë një kontingjent shtesë prej 1500 ushtarësh në Irak.

Vendimi është marrë nga Presidenti Barak Obama dhe është bërë publik nga zyrtarë të Pentagonit.

Ata sqaruan se këto forca do të angazhohen vetëm në misione këshillimore në luftën kundër Shtetit Islamik, konkretisht në trajnimin e 9 brigada irakene dhe 3 të luftëtarve kurdë peshmerga.

Aktualisht në disa zona të Irakut, përfshi edhe qëndrat e koordinimit në Bagdad e Irbil, ndodhet një kontingjent prej mbi 600 forcash amerikane.

Zyrtarët e lartë në Uashington nuk kanë komentuar pretendimet e fundit të shtypit, se strategjia që po ndiqet në Lindjen e Mesme po jep frytet e duhura.

Nga ana tjetër, presidenti Obama i ka kërkuar Kongresit të miratojë një fond shtesë prej 5.6 miliardë dollarësh për përballimin e shpenzimeve në rritje të operacionin që po vijon ndaj Shtetit Islamik në Irak e Siri.

Nuk është përcaktuar ende se kur kjo kërkesë do të merret në shqyrtim nga Kongresi.

Pas zgjedhjeve të së martës, të dyja dhoma e tij kontrollohen nga republikanët, por për çështjen që kanë të bëjnë me luftën kundër Shtetit Islamik, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka gjetur gjithnjë mbështetjen e kundërshtarëve të tij politikë.

Prej muajit gusht, forcat ajrore amerikane kanë kryer më shumë se 700 bombardime ndaj pozicioneve të xhihadistëve të Siri e Irak.

Tv Klan